
Anisa Memko Punonjëse Sociale e liçensuar; Trajnere edukimi për fëmijët, adoleshentët dhe të rinjtë; Praktikuese e BrainWorking Recursive Therapy (BWRT), niveli 1.
Anisa Memko ka përfunduar studimet për Punë Sociale dhe është trajnere, coach e mentore. Ka një eksperiencë të gjerë në mbrojtjen e fëmijëve, fuqizimin e grave dhe mbështetjen e komuniteteve vulnerabël në Shqipëri dhe më gjerë. Prej më shumë se një dekade, ajo ka qenë e angazhuar në institucione dhe organizata, ku ka ofruar mbështetje psikosociale, menaxhim rastesh dhe ka koordinuar programe me ndikim social.
Qysh herët, që në gjimnaz, Anisa është angazhuar si vullnetare në qendra dhe programe sociale, duke dhënë kontribut në mbështetjen e fëmijëve dhe grave në nevojë. Këto përvoja e kanë ndihmuar të forcojë aftësitë profesionale dhe përkushtimin ndaj punës sociale, duke i hapur rrugën një karriere të ndërtuar mbi vlera humane dhe përgjegjësi shoqërore. Pikërisht këto angazhime të hershme ushqyen pasionin e saj dhe ndikuan drejtpërdrejtë në zgjedhjen e punës sociale si profesion.
Formimi i saj profesional është ndërtuar mbi punën në Institucionin përkujdesës të fëmijëve “Zyber Hallulli”, Qendrën Pritëse për Viktimat e Trafikimit dhe Qendrën e Trajtimit të Viktimave të Dhunës në Familje. Në këto institucione ka mbështetur fëmijë në kujdes alternativ, fëmijë të abuzuar apo të neglizhuar, si edhe gra e vajza të ekspozuara ndaj dhunës dhe trafikimit, duke ofruar shërbime psikosociale dhe duke bashkëpunuar ngushtësisht me mekanizmat dhe autoritetet përgjegjëse
Eksperienca e saj profesionale përfshin edhe angazhimin pranë Organizatës Nisma për Ndryshim Shoqëror ARSIS, ku ka ushtruar rolin e koordinatores së projekteve në programe që lidhen me mbrojtjen e fëmijëve, parandalimin e institucionalizimit, mbështetjen e familjeve pas tërmetit të vitit 2019, si dhe fuqizimin dhe përfshirjen në arsim të fëmijëve të komuniteteve rome dhe egjiptiane.
Ajo ka gjithashtu eksperiencë si trajnuese në edukimin për sigurinë rrugore të fëmijëve, duke kontribuar në ndërgjegjësimin dhe edukimin e brezit të ri mbi kulturën e parandalimit dhe përgjegjësinë qytetare.
Përveç punës në terren, është themeluese e platformës profesionale punesociale.com, e cila synon të krijojë një hapësirë të dedikuar për punonjësit socialë, studentët dhe qytetarët që kërkojnë informacion mbi shërbimet sociale dhe zhvillimin profesional në këtë fushë.
Si pjesë e zhvillimit të saj profesional, ajo është edhe praktikuese e BrainWorking Recursive Therapy (BWRT), niveli 1, duke integruar qasje moderne në mbështetjen psikosociale.
Motoja e saj është: “Puna sociale është angazhim për të kthyer dinjitetin dhe sigurinë tek çdo individ.”
E-mail: anisamemko@hotmail.com
