Java botërore e ushqimit me gji organizohet cdo vit që prej vitit 1992, nga Aleanca Botërore për Veprim për Ushqyerjen me gji,(WABA). Në secilin vit, ky event është përfaqësuar me një temë të caktuar ndërgjegjësimi duke përfshirë sistemet e kujdesit shëndetësor, gratë në punë, mbështetjen e komunitetit, ekologjinë, shkencën, arsimin dhe të drejtat e njeriut. Tema e këtij viti i dedikohet gjidhënies për gratë në punë: “Të bëjmë të mundur ushqyerjen me gji në vendin e punës”.
Në vitin 2016, kjo aleancë u bë pjesë e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm (SDGs), ndërsa në vitin 2018, me një rezolutë të Asamblesë Botërore të Shëndetësisë, u miratua si një strategji e rëndësishme epromovimit të ushqyerjes me gji.
Organizata Botërore e shëndetësisë e konisderon ushqyerjen me gji si një nga mënyrat më efektive për të siguruar shëndetin dhe mbijetesën e fëmijës.
Sipas OBSH, qumështi i gjirit është ushqimi ideal për foshnjat. Është i sigurt, i pastër dhe përmban antitrupa që ndihmojnë në mbrojtjen kundër shumë sëmundjeve të zakonshme të fëmijërisë, gjithashtu qumështi i gjirit siguron të gjitha lëndët ushqyese që i nevojiten foshnjës për muajt e parë të jetës që ndikojnë për një rritje sa më të shëndetshme edhe në vazhdim.
Në ndikim të formimit, fëmijët që ushqehen me gji kanë inteligjencë më të lartë; kanë më pak gjasa të jenë mbipeshë ose obezë dhe më pak të prirur ndaj diabetit më vonë në jetë.
Ndërsa gratë që ushqejnë me gji gjithashtu kanë një rrezik të reduktuar të kancerit të gjirit dhe vezoreve.
Sot, në botë, më pak se gjysma e foshnjave nën 6 muajsh ushqehen ekskluzivisht me gji.
